Gazetarja Klodiana Lala ka ndarë detaje të reja nga kontrolli i kryer nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në një apartament që ndodhet mbi banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
E ftuar në MCN TV, Lala shpjegoi se ky apartament ka qenë më parë në përdorim të aktorit Gazmend Paja. Aktualisht, ai është marrë me qira nga një çift shtetasish libanezë dhe ekziston një kontratë qiraje për këtë.
Megjithatë, sipas gazetares, prokurorët e SPAK dyshojnë se pavarësisht kësaj kontrate, apartamenti përdorej në fakt nga Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Këto dyshime, sipas prokurorisë, kanë lindur gjatë përgjimeve të zhvilluara në kuadër të hetimeve.
“Ky apartament ka rezultuar gjatë përgjimeve, pretendojnë prokurorët, që de facto përdoret nga zoti Veliaj dhe Xoxa, pavarësisht faktit që ka kontratë qiraje për dy të huaj,” tha Lala, duke shtuar se SPAK ka marrë autorizim gjyqësor për të kryer kontrollin në këtë ambient.
Gjatë kontrollit, hetuesit kanë sekuestruar celularë dhe pajisje të tjera elektronike. Megjithatë, Lala theksoi se ende nuk ka rezultate publike se çfarë ka dalë nga këto prova të sekuestruara.
Ky kontroll i apartamentit është përmendur si një nga argumentet kryesore nga prokuroria gjatë seancës së dy ditëve më parë, ku Veliaj dhe Mariglen Qato (ish-drejtor i Urbanistikës) u paraqitën para gjykatës për t’u njohur me veprimet hetimore. Prokurori Ols Dado ka deklaruar se janë kryer gjithsej 114 veprime hetimore, me kontrollin e këtij apartamenti si më të rëndësishmin. Veprimet e tjera përfshijnë kqyrje celularësh, dokumentesh, ballafaqime të dhënash dhe pyetje të personave të ndryshëm.
Lala shpjegoi se nëse gjykata konstaton se numri i veprimeve hetimore është i pamjaftueshëm, mund të ndryshojë masa e sigurisë për të akuzuarit.
Aktualisht, prokuroria këmbëngul në mbajtjen e Veliajt në burg, duke argumentuar se po dalin fakte të reja çdo ditë, të cilat kërkojnë kohë për t’u hetuar dhe se Veliaj duhet të qëndrojë në burg për të mos ndikuar në prova. Nga ana tjetër, avokatët e Veliajt kanë kërkuar kohë për të shqyrtuar në detaje raportin e kontrollit të apartamentit dhe dokumente të tjera hetimore.