Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin për të pandehurit e inceneratorit të Tiranës. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është dënuar me 3 vite burg. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e sigurisë ndaj tij shuhet.
Koka nuk do të lirohet, pasi ndaj tij rëndojnë akuza të tjera për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, ku ai tashmë është dënuar me nga 6.8 vite burg për secilin rast pas gjykimit të shkurtuar (dënimi fillestar ishte 10 vite).
Të pandehur të tjerë në këtë çështje, Bledar Karoli, Erjon Murataj dhe Taulant Tusha, u dënuan secili me 2 vjet burg. Namik Simixhiu gjithashtu u dënua me 2 vjet burg dhe iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet. Valbona Ballgjini u dënua me 2 vite burgim me kusht, duke iu pezulluar dënimi dhe duke u vënë në shërbim prove. Ndërsa Jetmir Llapaj u shpall i pafajshëm.
SPAK akuzonte të pandehurit për veprime të kundërligjshme në lidhje me kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, duke përfshirë dhënien e bonusit të paligjshëm kompanisë fituese “Integrated Energy BV”, favorizimin e saj gjatë procedurës, hartimin e dokumenteve standarde të koncesionit nga punonjës të kompanisë dhe manipulimin e studimit të fizibilitetit. Akuza rëndonin edhe për mosregjistrimin e pronarëve përfitues të kompanisë.