Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar ngjarjet e fundit kriminale në vend, duke u ndalur veçanërisht te atentati i ndodhur në Lundër. Ai këmbëngul në pistën e ngatërrimit të shënjestrës në këtë sulm.
“Aty ka shumë të tjerë që janë vendosur në atë zonë…Brenda rezidencave kanë ndodhur edhe vrasje edhe vetëvrasje… Ka shumë pikëpyetje…” – u shpreh Karamuço, duke nënvizuar kompleksitetin e zonës ku ndodhi atentati.
Ai theksoi faktin se të katër personat në automjetin “G Class” u plagosën nga breshëria e kallashnikovëve. “Problemi qëndron se janë plagosur të 4, shoferit i ka rënë të fikët. E ka ndaluar pasagjeri makinën…” – shtoi Karamuço, duke treguar momentet kritike pas sulmit. Ai zbuloi gjithashtu se dy vëllezërit e mitur që ndodheshin në makinë, pas plagosjes e kanë njoftuar babain e tyre dhe janë dërguar në spital.
Duke iu referuar historisë së zonës, Karamuço përmendi se në rezidencat pranë vendit të ngjarjes kanë ndodhur edhe vrasje dhe vetëvrasje misterioze, duke shtuar një shtresë tjetër kompleksiteti në hetimet. Deklaratat e ekspertit ngrenë pikëpyetje të reja mbi motivet e atentatit dhe mundësinë që shënjestra e vërtetë të ketë qenë dikush tjetër në atë zonë.