Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar në MCN TV detaje të forta mbi historinë e hakmarrjeve që lidhen me vrasjen e Gjovalin Prendit në Lezhë. Sipas saj, i ndjeri ishte babai i Roan Brahimit, i cili u ekspozua për herë të parë në atentatin e Fushë-Krujës ku u vra Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.
Lala theksoi se që nga ai moment, grupi Martinaj ishte betuar të shfaroste familjen Prendi, e cila kishte marrë vazhdimisht mesazhe kërcënuese. Ajo kujtoi se Roan Brahimi u vra në 2024 në Athinë, duke shtuar se ai kishte konflikte edhe me një grup nga Tepelena për trafik droge, pistë kjo që po hetohet gjithashtu.
Sipas hetimeve, autorët e vrasjes së Gjovalin Prendit përdorën një automjet të vjedhur nga zona e Milotit. Dy persona qëlluan drejt tij ndërsa ai ndodhej në një tavolinë me të tjerë. Mjeti u gjet më pas i djegur.
Gazetarja vuri në dukje se Roan Brahimi ishte i përfshirë në shumë atentate dhe familja Prendi kishte marrë kërcënime të vazhdueshme pas ngjarjes së Fushë-Krujës. Policia është ende larg identifikimit të autorëve dhe po pret informacione mbi shasinë e automjetit të përdorur në krim.