Alesia Balliu, dikur një mbështetëse e njohur e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me incidentin e dhunshëm që ndodhi një ditë më parë në Elbasan, ku militantë të PD-së u përleshën me njëri-tjetrin gjatë një mitingu.
Në komentin e saj, Balliu e cilëson dhunën e regjistruar si një “incident të shëmtuar” dhe një “pasqyrë tronditëse të gjendjes së brendshme” të Partisë Demokratike. Ajo shkon më tej duke “zbuluar” prapaskenat e sherrit, duke pretenduar se në qendër të konfliktit ishte djali i deputetit Luçiano Boçi, i quajtur Paridi, dhe një e afërme e një kandidati tjetër demokrat në qarkun e Elbasanit.
“Ajo që ndodhi në Elbasan, në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike, nuk ishte vetëm një incident i shëmtuar, por një pasqyrë tronditëse e gjendjes së brendshme të kësaj force politike. Dhuna mes djalit të Luçiano Boçit dhe një të afërmeje të kandidatit të Partisë Demokratike nuk është thjesht një konflikt personal — është dëshmia më e qartë se kur humbet busulla politike, humbet edhe kontrolli mbi sjelljen, mbi mesazhin dhe mbi njerëzit,” shkruan Balliu në postimin e saj.
Më tej, ish-mbështetësja e Berishës shpreh keqardhjen për faktin se një forcë politike që dikur përfaqësonte shpresën për ndryshim, siç është Partia Demokratike, sot përfaqësohet në media përmes imazheve të dhunës. Komenti i Balliut vjen si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj lidershipit aktual të partisë dhe gjendjes së polarizuar brenda saj.
Ky “zbulim” i prapaskenave të dhunës nga një figurë e njohur brenda rradhëve të Partisë Demokratike pritet të ndezë edhe më tej debatin mbi situatën aktuale politike dhe marrëdhëniet brenda opozitës shqiptare. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime të tjera nga personat e përmendur apo nga vetë Partia Demokratike lidhur me këto pretendime.