TIRANË – Një debat i tensionuar dhe i ashpër u zhvillua në emisionin “Shqipëria Live” mes kandidates për deputete të koalicionit “Shqipëria Bëhet”, Valbona Myhedin, dhe gazetarit Anri Bala. Shkak i përplasjes u bënë pretendimet e Myhedin se ajo dhe ekipi i saj ishin kërcënuar me armë dhe intimiduar nga një person që ajo e identifikoi si “patronazhist” dhe “pjesë e bandave”.
Gazetari Anri Bala kërkoi nga kandidatja prova për akuzat e saj, duke theksuar se në mungesë të një raporti policie, akuzat e saj konsiderohen të pavërteta.
Debati u zhvillua me tone të larta, ku palët nuk nguruan të akuzonin njëra-tjetrën.
“Nga e dini që janë patronazhistë?” pyeti Bala.
“Po, po patronazhistë… kush po më flet?” u përgjigj Myhedin.
“Po s’ka rëndësi kush flet, ne na peshon fjala,” insistoi Bala.
“Bëhuni më i paanshëm,” kërkoi Myhedin.
“Pse ti do na tregosh sa të anshëm apo paanshëm jemi?” reagoi Bala.
“Po po unë,” konfirmoi Myhedin.
Gazetari Bala e akuzoi Myhedin se po gënjente dhe i kërkoi të paraqiste raportin e policisë për të vërtetuar akuzat e saj.
“Ti po gënjen, nxirr raportin e policisë pra,” tha Bala.
“Ti je gazetar, nxirre raportin,” u kundërpërgjigj Myhedin.
“Ti po gënjen pra, ma nxirr raportin që ky është pjesëtar bandash apo që ishte patronazhist dhe ju kanë kërcënuar,” shtoi Bala.
Në kulmin e debatit, Myhedin kërcënoi gazetarin me gjyq. “Mos ofendo, bashkë shikohemi në gjykatë pas këtij emisioni,” tha ajo.
Bala u përgjigj me ironi, duke theksuar se nuk i tremben gjyqeve. “Ç’a thotë? Do shihemi në gjyq? E di sa kam kaluar si puna jote unë me gjyqe! Kam qenë në gjyq bashkë me atë avokatin e partisë tënde, se ka qenë avokat!”
Debati i ashpër nxori në pah tensionet e larta gjatë fushatës zgjedhore dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët dhe kandidatët në një mjedis politik të polarizuar.