Policia e Durrësit ka njoftuar qytetarët për kufizime të rëndësishme në qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në disa rrugë kryesore të qytetit në datat 8 dhe 9 maj. Masa drastike vijnë si pasojë e organizimit të etapës së parë të eventit prestigjioz ndërkombëtar “Giro d’Italia 2025”, i cili do të nisë nga Durrësi më 9 maj 2025.

Në një njoftim zyrtar, Policia ka detajuar segmentet rrugore ku do të ndalohet parkimi duke filluar nga ora 08:00 e datës 8 maj deri në orën 15:00 të datës 9 maj. Këto zona përfshijnë:

  • Rruga “Mars 91” (nga rruga Ligurnika deri te rruga e Kishës Ortodokse)
  • Rruga “Taulantia” (nga ish-hoteli “Vollga” deri te hoteli “Arvi”)
  • Rruga “Anastas Durrsaku” (nga ish-hoteli “Vollga” deri te gjimnazi “Gjergj Kastrioti”)
  • Rruga e Kalasë (nga “Mulliri i Vjetër” deri te rruga “Sotir Noka”)
  • Parkimi publik i shëtitores “Taulantia” (mbrapa restorantit “Piazza”)
  • Rruga e Re e Portit
  • Rruga “Aleksandër Goga” (nga Prefektura deri te Muzeu Dëshmorëve)
  • Rruga “Dëshmorëve” (nga Muzeu deri te Stacioni i Trenit)
  • Rruga “Adria” (nga Stacioni i Trenit deri te Ura e Dajlanit)
  • Rruga “Pavarsia” (deri në Plepa)

Ndërkohë, ndalimi i qarkullimit dhe parkimit do të jetë aktiv në datën 9 maj, nga ora 11:00 deri në orën 14:00, në akset e mëposhtme:

  • Rruga “Mars 91”
  • Rruga “Egnatia” (nga rruga e Kishës Ortodokse deri te “Taulantia” – hoteli “Arvi”)
  • Segmenti: Torra Veneciane – Bulevardi Epidamn – Sheshi “Liria” – Rruga “Aleksandër Goga” – Mauzoleumi i Dëshmorëve
  • Rruga e Dëshmorëve – Rruga “Adria” – Ura e Dajlanit
  • Rruga “Pavarësia”

Policia ka paralajmëruar se çdo automjet i parkuar në kundërshtim me këtë urdhër do të hiqet me karrotrec. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm mjetet e Policisë, Urgjencës, Zjarrfikësve, Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës, Ndërmarrjes Komunale Plazh dhe Ndërmarrjes Rruga.

Autoritetet ftojnë qytetarët e Durrësit t’i bashkohen këtij eventi të rëndësishëm sportiv së bashku me familjet dhe fëmijët, përgjatë itinerarit të garës, për të mbështetur çiklistët dhe për të festuar këtë moment historik për qytetin. Nga data 9 deri më 11 maj, Durrësi, Tirana dhe Vlora do të presin 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota, duke e kthyer Shqipërinë në qendër të vëmendjes sportive ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *