Një 36-vjeçar nga Lezha, Mir Ndoj, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Vakumi”, është arrestuar në Tiranë. Ai akuzohet për trafikim droge në bashkëpunim me një person tjetër, i cili u kap pesë ditë më parë në fshatin Balldre, Lezhë, duke transportuar rreth 34 kg lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa.
Arrestimi i Mir Ndojt u bë i mundur falë bashkëpunimit mes policisë së Lezhës dhe Komisariatit Nr. 3 në Tiranë. Ai u kap teksa udhëtonte me taksi në kryeqytet. Ndoj kishte arritur t’i shpëtonte arrestimit gjatë ndërhyrjes së parë të policisë në Balldre, duke përfituar nga errësira dhe njohja e zonës.
Dy të arrestuarit dyshohet të jenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me kultivimin, prodhimin dhe shitjen e drogës në zonën e Lezhës. Policia ka njoftuar se po vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij grupi.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.