Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur Lezhën, ku është ekzekutuar 65-vjeçari Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, i cili u vra një vit më parë në Athinë. Prendi u qëllua për vdekje në hyrje të lokalit të tij.
Detaje të reja nga ngjarja bëjnë të ditur se biznesi i Gjovalin Prendit nuk ishte hera e parë që sulmohej. Në janar dhe dhjetor të vitit 2020, lokali i tij ishte shënjestruar dy herë, një herë me eksploziv dhe një herë tjetër me armë zjarri. Fatmirësisht, në ato sulme pati vetëm dëme materiale.
Autorët dhe rrethanat e vrasjes së Gjovalin Prendit mbeten ende të panjohura dhe policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Vrasja e Roan Brahimit në Athinë, një vit më parë
Roan Brahimi, 32 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri në Athinë një vit më parë, ndërsa ndodhej në makinë me bashkëshorten e tij, e cila mbeti e plagosur lehtë. Ngjarja ndodhi në një kryqëzim rrugësh, dhe dëshmitarë okularë thanë se djali shtatë vjeçar i çiftit pa me sytë e tij vrasjen e të atit.
Hetimet në Greqi zbuluan se ekzekutorët kishin vëzhguar lëvizjet e familjes Brahimi dhe kishin kurdisur një pritë. Ata kishin lënë të lirë një vend parkimi si “karrem” për 32-vjeçarin. Autorët, të maskuar me skafandra të errëta, qëlluan disa herë drejt tij, duke i marrë jetën.
Roan Brahimi njihej si një nga rivalët e Ervis Martinajt dhe emri i tij kishte qarkulluar në lidhje me ngjarje të ndryshme kriminale në Shqipëri, përfshirë një sulm me armë në një lokal në Zejmen dhe dyshime për përfshirjen e tij në masakrën e Fushë-Krujës. Ai dyshohej gjithashtu për atentate ndaj Ylli Brahimit dhe lidhje me grupe të fuqishme kriminale. Megjithatë, ai ishte larguar nga Shqipëria prej kohësh dhe ndodhej në Athinë për të festuar Pashkët me djalin dhe nënën e tij kur u vra.
Policia greke dyshon se autorët e vrasjes së Roan Brahimit mund të kenë udhëtuar nga Shqipëria, pasi viktima ishte i panjohur në Athinë. Mekanizmi i atentatit ngjason me vrasje të tjera të ndodhura në Athinë, duke shtuar kompleksitetin e hetimeve.