VLORË – Detaje të reja tronditëse dalin në dritë nga vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i cili u ekzekutua me katër plumba pranë banesës së tij në Vlorë. Hetimet paraprake sugjerojnë se autori i krimit të rëndë mund të jetë një shtetas rumun, i angazhuar si vrasës me pagesë.

Renato Hoxhaj u qëllua në orët e para të mëngjesit, rreth orës 4:30, në derën e shtëpisë së tij në lagjen “Hajro Çakërri”. Ai punonte prej pesë vitesh si roje në një objekt në ndërtim aty pranë dhe jetonte një jetë modeste. Në momentin e sulmit, ai ishte i pambrojtur dhe nuk kishte dëshmitarë të ngjarjes.

Fillimisht, dyshimet u përqendruan në motive pronësie, por hetimet e mëtejshme kanë zbuluar një pistë tjetër, atë të një vrasjeje mafioze të porositur nga grupe kriminale me qendër në Dubai. Sipas burimeve, Renato Hoxhaj dyshohet të ketë qenë informator i familjes Sinomati në Vlorë, duke e kthyer atë në objektiv të grupit kundërshtar.

Pamjet e sigurisë kanë kapur autorin e maskuar me kapele, shall dhe maskë kirurgjikale, i cili i afrohet viktimës dhe e qëllon katër herë – dy plumba në kokë dhe dy në trup – përpara se të largohej në këmbë në të njëjtën rrugë nga kishte ardhur. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti katër gëzhoja, dy të kalibrit 9 mm dhe dy të një arme tjetër, duke forcuar dyshimet se vrasësi ka qenë një profesionist i paguar që ka përdorur dy armë për të siguruar vdekjen e viktimës. Goditjet në kokë janë një tjetër tregues i ekzekutimeve të kryera nga vrasës me pagesë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se autori ka përdorur një automjet tip Range Rover para dhe pas krimit. Megjithë kontrollet e shumta, ky automjet ende nuk është gjetur. Burime pranë hetimit thonë se agresori i paidentifikuar ka lëvizur me këtë makinë, e cila dyshohet të jetë vënë në dispozicion nga i vetmi i ndaluar deri tani, Eris Mehmetaj. Automjeti Range Rover Sport është pikasur në zonën e krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë. Verifikimet kanë treguar se mjeti është blerë në Tiranë rreth tre javë para ngjarjes. Eris Mehmetaj vazhdon të mohojë çdo lidhje me vrasjen.

Kjo ngjarje e rëndë kriminale ka ngjashmëri me vrasjen e biznesmenit Ardian Nukulaj në Shëngjin, i cili u ekzekutua nga një shtetas portugez. Në atë rast, një shtetas anglez e kishte mbajtur nën mbikëqyrje viktimën para atentatit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe identifikimin e autorëve dhe porositësve vijojnë intensivisht nga autoritetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *