Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit të partisë, ka premtuar se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, do të eliminojë varfërinë ekstreme në Shqipëri. Ai u zotua se paratë e taksapaguesve do të rikthehen te qytetarët nëpërmjet rritjes së pagave, pensioneve dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor.
Berisha u shpreh se asnjë shqiptar nuk do të fitojë më pak se 200 euro në muaj, duke përfshirë pensionistët me pensione jo të plota, studentët, jetimët dhe të papunët. Ai gjithashtu premtoi uljen e çmimit të energjisë dhe zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme.
Duke sulmuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Berisha tha se “nuk i merr më Lubi Balluku për të larë makinën me 10 mijë euro në muaj” paratë e qytetarëve. Ai siguroi se këto fonde do të drejtohen për rritjen e mirëqenies së qytetarëve nëpërmjet pagave, pensioneve, kujdesit shëndetësor dhe arsimit cilësor, duke i cilësuar këto si “detyrime morale dhe ligjore për çdo qeveri konservatore”.