Në një seancë gjyqësore me tone të ashpra në GJKKO, ku po shqyrtohet çështja e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, dëshmitari i penduar Erion Alibej ka bërë deklarata të forta. Debati mes tij dhe Plaurent Dervishajt arriti deri në fyerje personale, duke detyruar gjykatën të largonte Dervishajn nga salla.
Alibej dëshmoi se e dinte që pas atentatit të parë ndaj Ndojës qëndronte Plaurent Dervishaj. Ai pohoi se ishte takuar me Dervishajn vetëm një herë, ndërsa komunikimin e bënin kryesisht përmes aplikacionit “SkyECC”.
Një prej detajeve më tronditëse të dëshmisë së Alibejt ishte pretendimi se pas atentatit të 1 nëntorit 2019, atij i ishin kërkuar 300 mijë euro për të prishur provat. Gjithashtu, Alibej deklaroi se, pasi Arjan Ndoja i shpëtoi sulmit të parë, Dervishaj kishte planifikuar ta vriste sërish pranë Gjirit të Lalzit.
Kjo dëshmi pritet të hedhë dritë të mëtejshme mbi rrjetin dhe motivet pas atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.