Ish-presidenti Bamir Topi ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me reagimin e ashpër të publikut në rrjetet sociale pas incidentit të dhunshëm në reality show-n “Big Brother”, ku një shuplakë ndaj njërit prej konkurrentëve shkaktoi një revoltë të paprecedentë.
Në një intervistë për emisionin “Zona Zero”, Topi u pyet nga moderatori Milaim Zeka përse shqiptarët janë kaq të zellshëm të reagojnë për një incident të tillë, ndërsa injorojnë probleme më të mëdha që prekin jetën e tyre të përditshme.
Topi hodhi dyshime se në këtë përçarje mund të jenë të përfshira edhe shërbimet sekrete të huaja, duke theksuar se lufta sot zhvillohet kryesisht në fushën e inteligjencës dhe teknologjisë. Ai sugjeroi se shumë nga profilet që nxisin përçarjen në rrjetet sociale mund të jenë të rreme dhe të kontrolluara.
“Niveli i shoqërisë është i rëndë, dhe kam bindjen se niveli i mesëm nuk do i frynte kësaj përçarjeje. Por janë falanga, janë falanga që paguhen nga kjo punë. Janë shërbime sekrete. Sot lufta bëhet në inteligjencë. Për turpin e tyre, kemi parë edhe shqiptarë, që flasin shqip, në këto shërbime sekrete,” deklaroi Topi.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për nivelin e dobët kulturor të shoqërisë, veçanërisht të brezit të ri, duke theksuar se një shoqëri me nivel të mesëm nuk do të kishte shfaqur një reagim të tillë ndaj një ngjarjeje të tillë.