Avokati Idajet Beqiri ka ngritur akuza të rënda ndaj ish-presidentit të vendit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke e denoncuar për pastrim parash në shifra të konsiderueshme në Rumani. Në një prononcim për Report TV, Beqiri deklaroi se Meta po pastron rreth 210 milionë euro nëpërmjet ndërtimit të një kompleksi luksoz me 12 kulla në Rumani, duke përdorur si kanal vajzën e tezes së tij dhe bashkëshortin e saj.
Sipas avokatit, kompleksi gjigant i quajtur “Dielli”, i ndodhur 12 kilometra larg Bukureshtit, përbëhet nga 12 kulla të ngjashme me modelin e ndërtimeve në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, dhe një pjesë e tyre tashmë kanë përfunduar. Beqiri prezantoi edhe fotografi të kompleksit, duke theksuar se ai përfshin rezidenca luksoze, pishina dhe dyqane me qira, duke e cilësuar si një “Paris të Vogël”.
Avokati Beqiri i bëri thirrje të posaçme Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të verifikojë këto akuza, duke sugjeruar që të hetojnë lidhjen e pasurive me vajzën e tezes së Ilir Metës dhe bashkëshortin e saj. Ai shprehu bindjen se provat ekzistojnë dhe i kërkoi SPAK-ut të veprojë në këtë rast.
Gjatë prononcimit të tij, avokati Beqiri nuk u ndal vetëm te akuzat ndaj Ilir Metës, por përmendi edhe kallëzimet e tij të mëparshme në SPAK lidhur me pasuritë e kreut të PD-së, Sali Berisha, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e veprimit nga ana e organit të akuzës.
Denoncimi i Idajet Beqirit shton një tjetër dimension në hetimet që po zhvillohen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet i arrestuar që prej 21 tetorit 2024. Akuza për pastrim parash në shifra kaq të larta pritet të jetë në fokusin e hetimeve të ardhshme nga ana e autoriteteve kompetente.