Elbasan, Shqipëri – Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i mbështetur nga BKH dhe forcat e policisë, ka nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm në Elbasan.
Sipas burimeve, fokusi i aksionit janë individë dhe biznese të lidhura me Suel Çelën, i cili është në kërkim nga SPAK për një sërë veprash penale. Organizata e tij u godit rëndë pak muaj më parë nga SPAK falë përgjimeve të “SKY ECC”, por vetë Çela vijon të jetë i paarritshëm.
Mësohet se sot janë ushtruar kontrolle në disa biznese dhe zyrtarë të pushtetit vendor që dyshohet se kanë lidhje me Çelën. Mediat raportojnë për kontrolle në bizneset e Nazif Bajramit, një emër i njohur në fushën e ndërtimit në Elbasan, si dhe te Mariglen Çoku, administratori i ekipit të futbollit të qytetit. Janë kontrolluar gjithsej katër banesa dhe një zyrë, përfshirë edhe banesën e drejtorit të UKK Elbasan, Luan Tabaku.
Gjatë operacionit, në zbatim të vendimit të gjykatës, janë sekuestruar dokumente, celularë, laptopë dhe të dhëna të tjera që mund të jenë të rëndësishme për hetimin.
Informacionet paraprake sugjerojnë se hetimi i SPAK është përqendruar te disa biznese që dyshohet se kanë përfituar tenderë dhe favore publike në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar lidhjet e tyre me Suel Çelën.
Kur SPAK goditi organizatën e Çelës, u zbulua se ai kishte infiltruar njerëz besnikë në administratë, të cilët më pas favorizonin bizneset e lidhura me të në procese tenderimi. U denoncua edhe emërimi i drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, vëllezërit e së cilës, Marsel dhe Xhino Roka, ishin pjesë e 21 personave të akuzuar nga SPAK si “ushtarë” të Suel Çelës.
Dosja hetimore zbulon gjithashtu ndërhyrje të Suel Çelës dhe Klaus Matishit për të vendosur njerëzit e tyre në pozicione kyçe në Spitalin e Elbasanit dhe në sektorin e Antidrogës të policisë lokale, me qëllim kontrollin e tenderëve dhe të territorit.