Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka propozuar shkurtimin e shpenzimeve për administratën publike si një mënyrë për të lehtësuar barrën fiskale të qytetarëve.
Në një postim kritikues në rrjetet sociale, Shehaj u ndal te Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), duke e cilësuar si shembullin më flagrant të shpërdorimit të taksave. “Shihni zyrat e saj, janë të tejfryra, me 1300 punonjës dhe një kosto prej 40 milionë euro në vit për qytetarët. Për një shërbim që është skandaloz,” tha Shehaj.
Ai theksoi se administrata publike i kushton buxhetit të shtetit 8.2 miliardë euro në vit dhe se me një reformim të thellë dhe modernizim, mund të kursehen të paktën 1 miliard euro.
“Shumica e bizneseve po kalojnë online, ndërsa shteti ende mban struktura të fryra, zyra të mëdha dhe shpenzime të panevojshme. Dua thjesht të kursej paratë e qytetarëve,” u shpreh Shehaj, duke kërkuar fokus nga qeveria te eficienca, teknologjia dhe ulja e kostove në vend të fryrjes së administratës me militantë.