Tiranë, Shqipëri – Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, kryetari i partisë së re politike “Mundësia”, Agron Shehaj, ka prezantuar forcen e tij si alternativën e shumëpritur për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij mbyllëse në takimin me kandidatët për deputetë, Shehaj u shpreh se “Mundësia” vjen si një përgjigje ndaj lodhjes së qytetarëve nga politika aktuale, duke ofruar një rrugë të re të bazuar në punë, meritë dhe jo korrupsion.
Duke theksuar prejardhjen e tij nga bota e sipërmarrjes, Shehaj shpjegoi se ëndrra e tij është që çdo shqiptar me dëshirë dhe guxim të mund të arrijë sukses përmes punës së ndershme, ashtu si ai vetë. Ai beson fuqishëm se çdo shqiptar ka potencialin të jetë i suksesshëm, me kusht që shteti të mos jetë pengesë, por mbështetës i të drejtave të tyre.
Ky vizion, sipas Shehajt, përbën thelbin e programit të “Mundësisë”, i cili synon një ekonomi të lirë dhe konkurruese, një administratë publike të vogël, të ndershme dhe efikase, si dhe një shtet në shërbim të qytetarëve. Ai theksoi se partia e tij nuk ofron premtime boshe, por angazhime konkrete që do të sjellin rezultate reale.
“Ky nuk është fjalim por thirrje që çdo qytetar që është lodhur, ju ftoj të na besoni dhe të na bashkoheni sepse ky është momenti ynë historik. Politika nuk duhet të jetë më biznesi privat i disa njerëzve,” – u shpreh kreu i “Mundësia”.
Shehaj pranoi se beteja për ndryshim nuk do të jetë e lehtë, por shprehu besimin e tij në fuqinë e njerëzve që dëshirojnë një të ardhme më të mirë. Ai falënderoi kandidatët e “Mundësisë” për bashkimin në këtë iniciativë, duke theksuar se së bashku me qytetarët që i besojnë kësaj force të re, ata mund të mbjellin pemën e shpresës dhe të ndryshojnë të ardhmen.
“Tani më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një mundësi të re, për një alternativë të re, ka nevojë për njerëz të rinj, për zëra të rinj, frymë krejtësisht të re,” – tha Shehaj, duke kritikuar dominimin e politikës shqiptare nga të njëjtat figura për 35 vjet. Ai e krahasoi politikën aktuale me një “kasetë të prishur” që përsërit të njëjtat fjalë dhe premtime pa sjellë ndryshim të vërtetë.
Qëllimi i “Mundësisë”, sipas kreut të saj, nuk është thjesht ndërrimi i pushtetit, por dhënia fund e këtij cikli dhe rikthimi i pushtetit dhe lirisë tek qytetari i thjeshtë. Shehaj shprehu bindjen se ky realitet mund dhe duhet të ndryshojë, dhe se vendimi për të garuar nuk vjen nga dëshira për poste, por nga besimi se Shqipëria meriton më shumë.
Ai theksoi se “Mundësia” nuk është si partitë e tjera dhe nuk bën pazare. Duke vënë në dukje se pavarësisht se kush ka qeverisur, e majta apo e djathta, shqiptarët kanë vazhduar të largohen nga vendi, Shehaj përfundoi duke thënë se ka ardhur koha për ndryshimin e munguar në 35 vjet, jo thjesht për një tjetër rotacion politik.