Një denoncim i fortë ka tronditur Partisë Demokratike , me ish-kandidaten e Primareve dhe aktivisten e vjetër të PD-së, Alesia Balliu, duke ngritur akuza për pazare të dyshimta dhe pagesa të majme për sigurimin e vendeve në listat e mbyllura të partisë. Balliu shprehet se në listat e sigurta është përfshirë një kandidat që ka qenë i lidhur me Partinë Socialiste, madje duke postuar në rrjetet sociale në favor të kryeministrit Edi Rama.
Denoncimi i Balliut u fokusua veçanërisht tek Luçiano Boçi, duke e akuzuar për favorizimin e kandidatit Kliti Hoti, i cili sipas saj është parë në shoqërinë e Benet Becit dhe ka pasur lidhje të mëparshme me PS-në. Ajo ngriti pikëpyetje të forta se si është e mundur që një person i tillë të gjendet në një pozicion të sigurt në listën e PD-së në Shkodër, ndërkohë që figura të njohura dhe aktive të partisë si Bardh Spahia janë lënë jashtë.
“Sot do bëj një denoncim. Pse në listë të sigurt në PD në Shkodër është Kliti Hoti që është parë me Benet Becin? Si ka mundësi që njeriu që postonte Edi Ramën është në listë të mbyllur në Shkodër dhe jo Bardh Spahia që është në çdo kauzë të PD në Shkodër? Ka pazare,” – deklaroi Balliu me tone të ashpra.
Ajo shkoi më tej duke aluduar për pagesa të konsiderueshme që mendohet se janë bërë për të siguruar një vend në listat e mbyllura të PD-së në Shkodër. “Janë bërë pagesa deri në 700 mijë euro për t’u futur në listë të mbyllur,” – pohoi Balliu, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi integritetin e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve.
Ish-kandidatja e Primareve nuk la pa përmendur edhe rastin e Mimoza Rexhvelajt, e cila kishte kaluar me sukses procesin e Primareve, por më pas është njoftuar nga Luçiano Boçi se nuk do të përfshihej në listë. Balliu e lidhi këtë vendim me “pazare” të dyshimta të bëra nga Boçi.
“Çfarë fshihet pas pazarit Boçi- Noka- Rama? Mimoza Rexhvelaj ka kaluar primaret dhe i vjen një telefonat nga Boçi dhe i thotë ti s’do jesh në listë se s’dua unë dhe kjo vjen si pasojë e pazare që ka bërë Boçi,” – u shpreh Balliu, duke sugjeruar një lidhje të mundshme mes vendimeve në PD Shkodër dhe ndikimeve të jashtme.
Denoncimi i Alesia Balliut pritet të shkaktojë debate të forta brenda Partisë Demokratike dhe të hedhë dritë mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Akuzat për pazare me para dhe përfshirjen e individëve me lidhje të mëparshme me partinë kundërshtare në listat e sigurta mund të dëmtojnë imazhin e PD-së dhe të nxisin kërkesa për sqarime dhe hetime të mëtejshme.