Adriatik Lapaj, drejtuesi i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, ka deklaruar publikisht se ndihet i bullizuar dhe i kërcënuar nga Kryeministri Edi Rama. Lapaj e argumentoi këtë duke iu referuar etiketimeve indirekte që Rama i bën përmes rubrikës “Sy m’Sy”.
Në një intervistë në emisionin “Debat” në A2 CNN, Lapaj shprehu frikën e tij nga sjellja e kryeministrit, duke argumentuar se mesazhet e tij gjatë fushatës përkthehen nga rrethi i tij brenda strukturave shtetërore dhe bandave pranë Partisë Socialiste si thirrje për të goditur kundërshtarët politikë.
“Kryeministri i një vendi është autoritet nuk është një 63-64 vjeçar te çepi i lagjes që pi fërnet për qejfin e vetë dhe thotë një mendim. Është shteti. Ndihem i bullizuar dhe i kërcënuar, edhe që kam frikë se ai është njeriu që drejton 10500 policë. Ajo përkthehet në një mesazh të shtuar te militantët e vetë brenda strukturave të shtetit që goditeni këtë djalin. Inspektorët e policisë, anëtarët e krimit të organizuar që bashkëpunojnë me të,” tha Lapaj.
I pyetur për llojin e kërcënimeve që ka marrë pas “shigjetimit” nga Rama, Lapaj u përgjigj: “Në çdo drejtim. Çdo ditë. Të të gjitha llojeve dhe formave, baltë edhe sulm në çdo anë”.
Megjithatë, Lapaj theksoi se ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të tërhiqen nga rruga e nisur, pavarësisht sulmeve që ai pretendon se po ndodhin ndaj tyre. Ai shtoi se kërcënimet vijnë nga “njerëz me uniformë të shtetit e deri te kriminelë ordinerë të rrugës”, por siguroi se kjo rrugë nuk ka kthim prapa.