Parti të reja Parlament Mandate deputetësh Adriatik Lapaj Nisma Shqipëria Bëhet Agron Shehaj Partia Mundësia Arlind Qori Lëvizja Bashkë Tom Doshi PSD Zgjedhje Lista e hapur Vota preferenciale

Parlamenti i ri shqiptar do të shohë një rritje të përfaqësimit nga forca politike më të reja, pavarësisht dominimit të socialistëve dhe demokratëve. Katër deputetë të rinj, nga tre parti që garuan për herë të parë, do të sjellin zëra të ndryshëm në sallë.

“Shqipëria Bëhet”: Lapaj drejt Parlamentit, pavarësisht bastit

Nisma Shqipëria Bëhet, edhe pse grumbulloi mbi 64 mijë vota në nivel kombëtar, arriti të sigurojë vetëm një mandat në Tiranë. Fillimisht, Ana Dajko ishte e para në listën fikse, por sipas marrëveshjes së koalicionit, ajo pritet të dorëhiqet. Kjo hap rrugën për Adriatik Lapaj, i cili me 6436 vota preferenciale, është kandidati më i votuar i kësaj nisme. Megjithatë, një bast publik i Lapajt se nuk do të ulet në parlament nëse nuk fiton më shumë se dy mandate, mund ta kalojë mandatin te Endri Shabani, i dyti më i votuari.

“Mundësia” e Shehajt dyfishon përfaqësimin

Partia “Mundësia”, një forcë politike vetëm 1-vjeçare e udhëhequr nga Agron Shehaj, pavarësisht se mori më pak vota në rang kombëtar (49,006), arriti të sigurojë dy mandate deputetësh. Shehaj ruajti karrigen e tij në Parlament, ndërsa do të ketë në krah edhe Erald Kaprin, një historian dhe personazh i njohur publik, i cili do të jetë ligjvënës për herë të parë.


“Lëvizja Bashkë”: Qori humbet mandatin, dërgon Muçin

Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit mori 24,621 vota në të gjithë vendin, me më shumë se gjysmën në Tiranë, ku dhe fitoi mandatin e saj të vetëm. Por vendi në sallë nuk do të jetë për Qorin. Me shpresën se mund të merrte më shumë se një deputet, ai u rendit i dyti në listën e fiksuar të Lëvizjes Bashkë. Kështu, në Kuvend kjo parti do të përfaqësohet nga Redi Muçi. Qori ka mohuar çdo “makinacion” për mandatin, duke deklaruar se lufta opozitare do të bëhet njëri në Kuvend dhe tjetri jashtë tij si kryetar partie.

Tom Doshi dhe PSD rikthehen me tre mandate

Tom Doshi dhe Partia Socialdemokrate (PSD) rikthehen në Kuvend me tre mandate, pasi siguruan 49,890 vota në total. Ndryshe nga viti 2021, kur vendosi të linte mandatin, këtë herë Doshi do të jetë deputet i Shkodrës. Nga PSD, bashkë me të, deputete e Shkodrës do të jetë edhe Sabina Jorgo, ndërsa Albana Pëllumbi deputete e Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *