Gazetari dhe pedagogu Zylyftar Bregu ka komentuar vrasjen e Gjovalin Prendit në Lezhë dhe nuk beson se ajo ka lidhje me atentatin e ndodhur të njëjtën natë në Tiranë. I ftuar në emisionin “Open” në News24, Bregu u shpreh se është “thuajse e pamundur” të përgatiten dy grupe vrasësish për të goditur në të njëjtën kohë në dy qytete të ndryshme.
Bregu theksoi se mungesa e transparencës nga policia rreth zbardhjes së vdekjes së Ervis Martinajt, e cila sipas tij “është kthyer në një lloj legjende”, e bën të vështirë lidhjen e asaj ngjarjeje me vrasjen e fundit në Lezhë. Ai bëri thirrje për më shumë transparencë nga ana e policisë nëse ka mundësi bashkimi të dosjeve, duke shtuar se ngjarjet po kthehen në “enigmatike” për shkak të mungesës së provave.
“Personalisht, mendoj se vrasja në Lezhë nuk ka lidhje me atentatin në Tiranë, pasi është thuajse e pamundur që të përgatisësh dy grupe vrasësish dhe të godasësh në të njëjtën kohë,” – u shpreh gazetari Bregu.
Deklarata e Zylyftar Bregut shton një tjetër perspektivë në analizën e ngjarjeve të fundit kriminale në Shqipëri, duke sugjeruar se vrasja në Lezhë mund të ketë motive të ndryshme nga atentati i ndodhur në Tiranë. Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë.