Ministria e Brendshme ka njoftuar se zyrat e shpërndarjes së kartave të identitetit do të jenë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë, datë 10 maj 2025. Ky vendim i marrë nga shoqëria “IdentiTek” synon t’u vijë në ndihmë atyre qytetarëve që nuk kanë mundur të tërheqin dokumentet e tyre të identifikimit në kohë, vetëm një ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha zyrat e aplikimit të “IdentiTek” do të jenë të hapura nga ora 09:00 deri në orën 14:00, duke ofruar kështu një mundësi shtesë për qytetarët të marrin kartat e tyre të identitetit përpara ditës së votimit.

Ministria e Brendshme ka shpjeguar se ky hap vjen si rezultat i një fluksi të shtuar aplikimesh në ditët e fundit nga shtetasit, dokumenteve të të cilëve u ka skaduar afati i vlefshmërisë. Kjo rritje e interesit lidhet ngushtësisht me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen të dielën.

Për të garantuar pjesëmarrjen sa më të gjerë në zgjedhje, Qeveria ka miratuar akte normative që lejojnë çdo shtetas të votojë edhe në rast se dokumenti biometrik i identifikimit që ai zotëron, ka afat të skaduar. Këto masa synojnë të sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe t’i mundësojnë çdo qytetari të ushtrojë të drejtën e votës pa asnjë pengesë administrative.

Vendimi për të mbajtur hapur zyrat e ID-ve edhe ditën e shtunë është një tjetër hap proaktiv nga autoritetet për të lehtësuar procesin e votimit dhe për të siguruar që sa më shumë qytetarë të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e 11 majit. Qytetarët që ende nuk e kanë tërhequr kartën e tyre të identitetit, inkurajohen të shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit gjatë ditës së nesërme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *