Vizita e Drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, në Shkodër këtë të enjte, ka ngjallur reagime dhe spekulime lidhur me hetimet për krimet zgjedhore. Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, avokati Edmond Petraj ka komentuar mbi këtë vizitë, duke theksuar se SPAK po monitoron dhe vëzhgon nga afër situatënSipas avokatit Petraj, vizita e Dumanit në Shkodër nuk është e rastësishme dhe lidhet drejtpërdrejt me hetimet për krimet zgjedhore. Ai sugjeron se SPAK ka nisur hetimet për personazhe të caktuar, ndoshta pas denoncimeve apo kallëzimeve konkrete.

“Kanë shkuar sepse i përket një situatë për krimin zgjedhor dhe kanë dashur të monitorojnë situatën nga afër. Nuk është rastësi, ka nisur direkt hetimi për personazhe që ndoshta mund të kemi një denoncim apo kallëzim,” tha avokati Petraj.

Ai shprehu bindjen se vizita e Dumanit me përforcime tregon seriozitetin e SPAK-ut në trajtimin e krimeve zgjedhore dhe la të hapur mundësinë për arrestime të mundshme.

“Ekziston mundësia që mund të kemi edhe të arrestuar. Vajtja e tij me shpejtësi sot, dhe me përforcime, dhe mendoj që diçka do ndodhë sa i përket krimit zgjedhor,” shtoi Petraj.

Deklaratat e avokatit Petraj vijnë në një kohë kur tensioni politik është i lartë, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit. Vizita e Dumanit në Shkodër dhe komentet e avokatit sugjerojnë se SPAK është i angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë dhe të ligjshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *