Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Kejsi Spahillarin, e akuzuar për vrasjen e ish-të dashurit të saj, Antonio Karafili, ngjarje e ndodhur shtatë vite më parë në Voskopojë. Vendimi i gjykatës erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së Korçës, e cila ka rihapur hetimet për këtë rast që fillimisht u trajtua si vetëvrasje.

Në vitin 2018, 18-vjeçari Antonio Karafili u gjet i varur me çarçaf në një pemë në periferi të fshatit Voskopojë. Megjithëse ngjarja u regjistrua si vetëvrasje, prokuroria nuk e ndërpreu hetimin, duke vijuar me mbledhjen e provave dhe vlerësimin e indikacioneve të reja. Këto hetime implikuan në ngjarje të dashurën e Antonios, Kejsi Spahillari, dhe një të ri tjetër, Rexhep Vathi.

Provat biologjike të mbledhura gjatë hetimit të ri zbuluan një të vërtetë tronditëse. Sipas prokurorisë, Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari e kanë mbytur Antonio Karafilin me çarçaf dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e tij.

Motivi i këtij krimi makabër dyshohet të jetë lidhja paralele që Kejsi Spahillari mbante me viktimën dhe Rexhep Vathin. Pas krimit, Spahillari emigroi në Kanada, ndërsa në gusht të vitit 2024, Rexhep Vathi kreu vetëvrasje.

Prokuroria e Korçës ka nxjerrë urdhrin e arrestit për Spahillarin, dhe Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për akuzën e “vrasjes me dashje në bashkëpunim”. Pas këtij vendimi, pritet që Prokuroria e Korçës të procedojë me urdhër arresti ndërkombëtar për Kejsi Spahillarin, e cila prej disa vitesh jeton në Kanada ku ka krijuar familje. Ky zhvillim i papritur sjell një kthesë të re në një ngjarje që për shumë kohë u konsiderua si tragjedi vetjake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *