Athinë, Greqi – Policia greke ka finalizuar hetimet për atentatin e ndodhur më 23 shtator të vitit të kaluar në Athinë, ku mbetën të plagosur dy shtetas shqiptarë. Sipas zbulimeve të policisë, atentati ishte porositur nga burgu nga 48-vjeçari shqiptar Klod Cara, i njohur edhe si Klodian Lekocaj, i cili vuan dënimin për vrasje dhe ngjarje të tjera të rënda në Greqi.
Viktimat e atentatit ishin Kristjanis Stefa, 35 vjeç nga Elbasani, dhe Florian Bajraktari, 37 vjeç nga Tirana, të dy me precedentë penalë. Ata u sulmuan me armë rreth orës 18:00 në rrugën “Kriti 21” në Athinë nga një fuoristradë “Nissan” Qashqai. Në vendngjarje u gjetën 7 gëzhoja, ndërsa autorët u larguan menjëherë.
Pas 5 muajsh hetime intensive, policia greke ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë disa nga personat e përfshirë në atentat. Personi që dyshohet se ka hapur zjarr është Ledjon Cela, 34 vjeç nga Korça. Hetimet zbuluan se Cela, në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar, kishte vjedhur një automjet “Nissan” Qashqai në Koridhalo të Athinës pak para ngjarjes, të cilin më pas e parkoi pranë vendit të atentatit.
Një orë para sulmit, Mateo Nunaj, 23 vjeç nga Lushnja, mbërriti me një automjet “Citroen” C1 pranë “Nissan”-it të vjedhur, hipi në të dhe u largua. Më pas, Nunaj, Cela dhe Aleksander Baki, 24 vjeç, u takuan pranë vendit të parkimit të “Nissan”-it. Ata u futën sërish në makinë, me Nunajn si shofer, Bakin në sediljen e parë dhe Celën pas. Duke lëvizur, iu afruan Stefas dhe Bajraktarit, dhe Cela hapi zjarr nga dritarja duke i plagosur. Pas të shtënave, “Nissan”-i u largua dhe pasagjerët zbritën duke u shpërndarë në këmbë.
Më 31 mars, policia ka shoqëruar Aleksander Bakin, i cili ka rrëfyer ngjarjen dhe përfshirjen e tij. Sipas dëshmisë së tij, atentati ka ndodhur për “larje hesapesh” mes Klod Carës dhe Kristjanis Stefas. Lekocaj, i burgosur tashmë, kishte urdhëruar Ledjon Celën, të cilin e njihte nga burgu, që të kryente atentatin.
Policia greke ka arritur të arrestojë Aleksander Bakin, Klodian Lekocajn (në burgun e Malandrinos) dhe Ledjon Celën (në burgun e Hios). Sipas dëshmisë së Bakit, Mateo Nunaj rezulton se është larguar drejt Shqipërisë dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet greke. Zbardhja e këtij atentati tregon lidhjet e krimit të organizuar edhe jashtë kufijve dhe rolin e individëve të burgosur në orkestrimin e ngjarjeve kriminale.