Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duke folur nga Moska ku ndodhet për paradën e Ditës së Fitores, është përpjekur të zbusë situatën pas raportimeve për një incident gjatë udhëtimit të tij të ndërprerë në SHBA. Vuçiç ka mohuar se i interesojnë fotot me ish-presidentin Donald Trump, duke theksuar se prioritet për të janë diskutimet dhe interesat e popullit serb.”Kam pasur biseda me të në Zyrën Ovale. Nuk më interesojnë fotot, më interesojnë se çfarë mund të bëj për njerëzit tanë. Unë e respektoj presidentin amerikan, besoj se ai po bën shumë gjëra të mira për botën,” ka deklaruar Vuçiç.

Ai ka shtuar se i vjen keq që nuk ka arritur të takojë të dërguarin e Trump, Richard Grenell, si dhe Richard Bensent, duke theksuar rëndësinë e këtyre takimeve për çështjet që prekin Serbinë.

Deklaratat e Vuçiç vijnë pas raportimeve se atij iu refuzua hyrja në një darkë donatorësh të Partisë Republikane në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago, një pretendim që u mohua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sipas portalit Pavlovic Today.

Lëvizja “Kreni-promeni” ka akuzuar portalin Pavlovic Today për “spin klasik mediatik”, duke pretenduar se qëllimi i lajmit ishte të “lante skandalin” e presidentit serb. Ata pretendojnë se Vuçiç u përpoq të hynte fshehurazi në darkë, por iu refuzua hyrja, duke shkaktuar një incident diplomatik.

“Kur presidenti i një vendi përpiqet të depërtojë fshehurazi nga dera e pasme drejt një ngjarjeje vendimtare për mbledhjen e ndikimit politik, nuk është vetëm një turp personal, por një gërryerje serioze e reputacionit të Republikës së Serbisë,” ka deklaruar lëvizja.

Nga ana tjetër, “përpjekja për të riparuar dëmin përmes mediave si Pavlovic Today është një shembull klasik i larjes së fakteve,” shtojnë ata.

Vuçiç ka premtuar se do të zbulojë “disa gjëra” në lidhje me udhëtimin e tij në SHBA në të ardhmen, duke lënë të hapur mundësinë për sqarime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *