Vrasje Tiranë Hetim Ekspertizë Banesë e huaj thikë

Vlorë, 29 Prill 2025 – Një vrasje e mbështjellë në mister ka tronditur qytetin e Vlorës. Renato Hoxhaj, 58 vjeç, u ekzekutua me katër plumba, ndërkohë që motivet dhe rrethanat e krimit mbeten ende të paqarta. Viktima, sipas të dhënave, nuk kishte precedentë penalë dhe nuk njihej si person i përfshirë në konflikte.

Grupi hetimor po punon intensivisht për të zbardhur ngjarjen. Autori i krimit, i cili ka vepruar i maskuar me kapelë dhe shall, është filmuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kuzum Babasë. Ai dyshohet se ka ardhur nga zona kodrinore pas vendit të ngjarjes, ka kryer aktin dhe më pas është larguar në të njëjtën rrugë. Policia ka sekuestruar të gjitha pamjet filmike në zonë dhe po i analizon ato me qëllim identifikimin e autorit.

Një detaj që bie në sy është mungesa e një automjeti të djegur pas krimit, një praktikë e zakonshme në ngjarje të tilla. Kjo sugjeron se autori mund të ketë vepruar në këmbë, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e ndihmës nga persona të tjerë.

Banorët e zonës e kanë përshkruar Renato Hoxhajn si një person të qetë dhe pa konflikte me askënd. Policia ka marrë në pyetje disa persona menjëherë pas ngjarjes, por deri tani nuk kanë dalë detaje të rëndësishme për hetimin. 58-vjeçari punonte si roje në një pallat pranë pronës së tij.

Aktualisht, hetimet po fokusohen në dy pista kryesore. Njëra lidhet me mundësinë që viktima të ketë zotëruar një pronë të lakmuar në Vlorë, e cila i ishte kërkuar për ndërtime shumëkatëshe. Dyshohet se Hoxhaj ka qenë kundër këtij shfrytëzimi dhe eliminimi i tij mund të jetë pasojë e kësaj kundërshtie.

Pista tjetër e hetimit nuk bëhet ende publike, ndërsa policia po vijon mbledhjen e informacioneve dhe analizimin e provave të siguruara. Renato Hoxhaj jetonte i vetëm dhe prej dy vitesh bashkëjetonte me një grua të komunitetit rom, e cila ka dëshmuar se ai punonte vetëm ditën. Ai ishte baba i dy fëmijëve të rritur, ndërsa gruaja e tij e parë jetonte në Itali. Pritet që analizimi i kamerave të sigurisë të hedhë më shumë dritë mbi këtë vrasje misterioze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *