Tiranë – Dosja hetimore ndaj Voltan Xhanit, 39-vjeçarit i cili u arrestua disa ditë më parë në Gjirin e Lalëzit, i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Xhani ishte në kërkim pasi dyshohet si organizator i vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër, ngjarje e ndodhur më 30 gusht 2024.
Arrestimi i tij u bë teksa hante drekë me Xhevdet Plakun dhe gjashtë persona të tjerë. Xhani ishte shpallur në kërkim me masën e sigurisë “Arrest në burg” për “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë arrestimit, Policia i gjeti një pistoletë me fishekë në fole.
Vrasja e Elis Rroshkodolit, i cili u qëllua me 18 plumba, dyshohet se lidhet me një histori konfliktesh të tij, përfshirë plagosjen e Hysni Bregut në 2010 dhe incidente të tjera në Belgjikë e Rumani. Vdekja e Rroshkodolit vjen 29 vjet pas vrasjes së babait të tij, Kujtim Haxhisë, në Shkodër.