Vlora Sezon turistik Prenotime Hotele Turistë të huaj Gjermania Anglia Zvicra Verë Korrik Gusht Azi Afrikë Punonjës të huaj Staf Shërbim cilësor Natyra Ushqim Kuzhinë

Vlora po shfaqet si një magnet i vërtetë për turistët, teksa përgatitjet për sezonin veror janë në kulmin e tyre. Operatorët turistikë të qytetit bregdetar shprehen optimistë për një sezon të suksesshëm, duke u bazuar në numrin e lartë të prenotimeve që kanë marrë deri më tani.

Sipas burimeve nga sektori turistik, pranvera është karakterizuar nga një fluks i konsiderueshëm vizitorësh të huaj, të cilët duket se e kanë zgjedhur Vlorën si destinacionin e tyre të preferuar për pushime. “Normalisht që pronotime kemi në këtë periudhë në pranverë vijnë më shumë nga Gjermania, anglez, zvicerian, nga këto vende që janë agjensi që i kanë të gjitha të përfshira, kurse në sezon nga çdo vend i botës”, tha Luixhino Isufaj, një operator turistik lokal.

Interesi i madh për Vlorën vijon edhe për muajt e verës. Operatorët raportojnë se prenotimet për korrikun dhe gushtin janë drejt ezaurimit. Një veçori interesante e këtij sezoni është rritja e kërkesave nga turistë nga vende të largëta si Azia dhe Afrika, territore që tradicionalisht nuk kanë qenë burime të mëdha turistësh për Vlorën. “Pronotime për verën kemi, më të shumtat janë në muajn korrik dhe gusht. Ndryshe nga vitet e mëparshme sot shikojmë interes edhe nga vendet që si kemi pasur si Azia, Afrika, Amerika”, shtoi zoti Isufaj.

Për të garantuar një shërbim sa më cilësor për fluksin e pritur të turistëve gjatë verës, operatorët turistikë në Vlorë kanë marrë masa duke plotësuar stafin me punonjës të kualifikuar, përfshirë edhe personel të huaj. “Çdo operator turistik nga viti në vit investon, stafet tani janë dhe të huaj. Në çdo pozicion kemi marrë dhe të huaj dhe kjo ofron një shërbim më shumë. Vlorën duhet ta vizitojnë e para nga natyra e dyta nga ushqimi se ka kuzhinë të gjithanshme”, shpjegon operatori turistik.

Informacionet e fundit tregojnë se, megjithëse jemi ende në prill, mbi 70% e numrit total të dhomave në njësitë hoteliere të Vlorës për muajt korrik dhe gusht janë tashmë të prenotuara. Kjo shifër e lartë në një fazë kaq të hershme paralajmëron një sezon turistik rekord për qytetin bregdetar, duke konfirmuar Vlorën si një nga destinacionet më tërheqëse të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *