Procesi gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani po vijon me dyer të mbyllura, ku së fundmi kanë dëshmuar pesë të mitur, të cilët kanë dijeni për ngjarjen tragjike. Mes dëshmitarëve ishte edhe K.B., i cili ishte i pranishëm në vendin e krimit dhe për të cilin familjarët e viktimës kishin ngritur më parë pretendime.
Në përputhje me ligjin, të miturit janë marrë në pyetje pa praninë e të pandehurit kryesor, Mario Përlleshaj, i cili dyshohet si autor i vrasjes. Përlleshaj, përmes avokatit të tij mbrojtës, ka mohuar kategorikisht se ka qëlluar drejt Martin Canit. Ai pretendon se objektiv i tij ka qenë Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur në incident.
Gjyqi pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ku janë thirrur për të dëshmuar edhe shtatë persona të tjerë, katër prej të cilëve janë gjithashtu të mitur. Ata do të dëshmojnë sërish në cilësinë e personave me dijeni për ngjarjen, në përpjekje për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së Martin Canit.