Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar zyrtarisht marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e urës së re mbi lumin Bunë, duke hequr kështu pengesën e fundit ligjore për fillimin e projektit. Marrëveshja, e nënshkruar nga kryeministrat Dritan Abazoviç dhe Edi Rama në shkurt të vitit 2023, ishte ratifikuar më parë nga Kuvendi i Shqipërisë në qershor të vitit të kaluar.
Qëllimi kryesor i këtij projekti madhor është përmirësimi i lidhjeve ndërkufitare mes dy vendeve fqinje, duke krijuar kushte optimale për shfrytëzimin e potencialit turistik, natyror dhe kulturor të zonës. Ndërtimi i urës pritet gjithashtu të nxisë zhvillimin ekonomik dhe social në rajonin kufitar. Projektimi i urës 380 metra të gjatë, me tre harqe, është financuar nga pala shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Ura e re do të jetë e aksesueshme për automjete, këmbësorë dhe biçikleta, duke shkurtuar ndjeshëm distancën rrugore mes Plazhit të Madh të Ulqinit dhe Velipojës. Kostoja totale e projektit llogaritet rreth 20 milionë euro dhe do të bashkëfinancohet në mënyrë të barabartë nga Shqipëria dhe Mali i Zi, duke përfshirë shpenzimet e ndërtimit, mbikëqyrjes dhe shërbimeve të tjera të nevojshme për realizimin e tij. Miratimi nga Mali i Zi shënon një hap të rëndësishëm drejt fillimit të punimeve dhe konkretizimit të këtij projekti me rëndësi strategjike për të dy vendet.