Vlorë, Shqipëri – Kanë kaluar 28 vite nga tragjedia e 28 marsit 1997 në Kanalin e Otrantos, ku humbën jetën 81 burra, gra dhe fëmijë shqiptarë. Sot, familjarët e viktimave u mblodhën me lot në sy në varrezat e Vlorës për të vendosur kurora me lule në kujtim të të dashurve të tyre, 24 prej të cilëve trupat nuk u gjetën kurrë.
Në bordin e anijes “Kateri i Rades”, e nisur nga brigjet e Vlorës me 115 emigrantë në kërkim të një jete më të mirë, vetëm 61 persona arritën të mbijetonin pas përplasjes me anijen ushtarake italiane “Sibila”.
Edhe pas 28 vitesh, dhimbja për humbjen e tyre mbetet e freskët dhe kërkesa për drejtësi e familjarëve është e palëkundur. Ata kërkojnë dënimin e fajtorëve dhe dëmshpërblime për humbjet e pësuara. Njëkohësisht, ata akuzojnë shtetin shqiptar për mungesë mbështetjeje gjatë proceseve të gjata gjyqësore me shtetin italian.
“Humba vajzën me fëmijën dhe me burrin. Dhimbja nuk ikën asnjëherë. Ne as si prindër që na kanë mbyllur një derë. Donin të jetonin sa më mirë. Ne nuk na njeh njeri si prindër të këtyre viktimave. Për mungesë dokumentesh nuk u bë asgjë. S’dimë si i kanë ligjet italiane,” – u shpreh me dhimbje një e moshuar që humbi tre anëtarë të familjes: vëllanë, nusen dhe mbesën e vogël. “Kjo ska për të mbaruar. Të paktën të mos harrohen. Ndaj vijmë çdo vit. Shteti i ka harruar. S’kemi gjetur të drejtë në shtetin Italian. Ne këtu do i përkujtojmë sa të jemi gjallë. Motra me nipin i kuptoj me mall. Do mbeten të paharruar për ne. Por shteti i ka harruar. Veç ju gazetarët vini këtu, shteti nuk bën ceremoni.”
Gazetari Enrik Mehmeti, i cili ka ndjekur nga afër këtë çështje, ka deklaruar se familjarët e viktimave janë të vendosur ta çojnë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ky hap vjen si rezultat i zhgënjimit të tyre me drejtësinë italiane dhe mungesës së mbështetjes nga shteti shqiptar.
Për familjarët, përkujtimi i 28 marsit nuk është vetëm një moment dhimbjeje, por edhe një thirrje e vazhdueshme për drejtësi dhe kujtesë. Ata refuzojnë të lejojnë që tragjedia e Otrantos dhe viktimat e saj të harrohen nga shteti dhe shoqëria. Vendosja e kurorave me lule në varrezat e Vlorës është një akt simbolik i kësaj kërkese të palëkundur për drejtësi dhe respekt për jetët e humbura në atë natë të kobshme të 28 marsit 1997.