Gazetaria sportive shqiptare është në zi pas ndarjes nga jeta të gazetarit Saimir Demi, në moshën 57-vjeçare. Lajmi i hidhur ka tronditur familjen Demi, kolegët e tij në RTSH Sport dhe të gjithë ata që e njohën.
Gazetari Methasani, në një postim prekës, ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e mikut dhe kolegut të tij. Ai ka kujtuar telefonatën e fundit me Demin, e cila i ishte dukur pesimiste, por nuk e kishte imagjinuar kurrë ikjen e tij kaq të shpejtë.
“Telefonata e fundit mu duk pesimiste, por kurrë se besoja ikjen kaq shpejt të tij. Saimir Demi, do të na mungojë nga sot, duke na lënë pas pikëllimin helm, që na iku nxitimthi, vetëm 57 vjeç,” shkruan Methasani.
Ai ka theksuar se RTSH Sport është në zi, ashtu si familja Demi dhe familja e gazetarëve sportivë. Sëmundja e rëndë e rrëzoi njeriun që e donte kaq shumë jetën, ndërsa po kaq e donte dhe çdokush që e njohu dhe punoi me të.
Methasani ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen e Demit, nënën e tij, bashkëshorten Albanën, vëllain Enkel Demi dhe djalin Bjorn. Ai e ka kujtuar Demin si një mik dhe koleg të veçantë, i cili do të lërë një boshllëk të madh.