Lezhë – Tensionet politike në Lezhë kanë arritur kulmin pas një incidenti të denoncuar nga Partia Socialiste (PS), ku pretendohet se persona të armatosur, me urdhër të kandidatit të Partisë Demokratike (PD) për deputet, Gjin Gjoni, kanë kërcënuar familjarët e kandidates socialiste për deputete, Klotilda Ndreca.

Kryetari i PS në Lezhë, Ermal Pacaj, në një deklaratë publike, e cilësoi ngjarjen si të paprecedentë. Ai pohoi se mbrëmjen e kaluar, persona të armatosur kanë shkuar në lokalin e babait të kandidates Ndreca dhe kanë kërcënuar familjarët se do të marrin peng kryetarin e PS dhe babanë e kandidates.

“Në pronën e babait të kandidates sonë për deputete, njerëz të armatosur janë paraqitur duke kërcënuar se do ju marrim peng kryetarin e PS dhe babanë e kandidates për deputete. I jemi drejtuar instance shtetërore, duhet të marrin masa. Çdo natë militantë të PD qarkullojnë orëve të vona, pa arsye, për të gjurmuar dhe krijuar alibinë e tyre të humbjes për zgjedhjet e 11 majit. Është depozituar kallëzimi”, u shpreh Pacaj.

Më tej, Pacaj akuzoi kandidatin e PD, Gjin Gjoni, se po intimidon votuesit në terren duke përhapur akuza të pabazuara për blerje votash ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme.

Pas denoncimit të ngjarjes në Drejtorinë Vendore të Policisë (DVP) Lezhë, Pacaj njoftoi se PS do t’i drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), për të informuar mbi situatën dhe për të kërkuar një vëzhgim më të rreptë të fushatës elektorale.

Ndërkohë, burime nga Policia konfirmojnë se dy persona janë shpallur në kërkim në lidhje me incidentin e ndodhur në Dajç të Lezhës. Sipas njoftimit zyrtar, “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.”

Ky incident i rëndë ngre shqetësime serioze mbi klimën politike në prag të zgjedhjeve të 11 majit dhe kërkon një reagim të shpejtë dhe efektiv nga organet ligjzbatuese për të garantuar sigurinë e kandidatëve dhe qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *