Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar dokumentet e kompanive “Net Group” dhe “Hill International NV” në kuadër të hetimit ndaj ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, dhe biznesmenit Valter Begaj. Kjo pasi bashkimi i këtyre operatorëve ekonomikë fitoi tenderin për mbikëqyrjen e punimeve të tunelit të Llogarasë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
SPAK dyshon se tenderi mund të jetë i paracaktuar dhe kompanitë e tjera janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë për shkak të lidhjes mes Berberit dhe Begajt. Hetimet e deritanishme e akuzojnë Berberin për favorizim të mikut të tij në tendera përmes një kompanie që ai kontrollonte indirekt.
Evis Berberi konsiderohej si krahu i djathtë i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ndërkohë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, nga arratia, ka pretenduar se tenderi i Llogarasë është një aferë korruptive që përfshin edhe Ballukun dhe Edi Ramën.
Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK lidhur me këtë çështje, e njohur si afera e tunelit të Llogarasë. Hetimet e SPAK-ut pritet të zbardhin nëse ka pasur shkelje ligjore në procesin e tenderimit.