Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfiskuar apartamentin në Golem të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Vendimi vjen pas shpalljes fajtor të tij për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Apeli i GJKKO-s kishte lënë në fuqi më 13 shkurt 2024 vendimin e shkallës së parë, duke e shpallur Dedjan fajtor dhe duke e dënuar me 6 muaj burgim, me kusht që ai të mos kryente vepra të tjera penale për një periudhë prove prej 1 viti.
Bashkim Dedja e kaloi fillimisht shkallën e parë të procesit të vetingut, por u rrëzua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). KPA e lidhi atë me një kontratë të lidhur me OSHEE për një apartament në Golem, duke argumentuar se ai kishte fshehur pronësinë, duke e paraqitur atë si pronë të vëllait të tij.
Hetimet ndaj Dedjas nisën nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në maj të vitit 2020, pas dyshimeve për pasuri të paluajtshme që ai nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme. SPAK siguroi një urdhër sekuestroje nga Gjykata e Posaçme për një shtëpi 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas.
Në shkallën e parë, më 26 qershor 2023, Dedja u deklarua fajtor dhe u dënua për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa për konfiskimin e apartamentit u paraqit nga SPAK më 22 prill 2022. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, vendosi sot, më 24 prill 2025, konfiskimin e pasurisë së paluajtshme (apartamentit) me numër ****, volumi ****, faqe ****, me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në zonën kadastrale ****, Njësia Administrative ****, Bashkia ****, të regjistruar në emër të shtetasit L.D. Apartamenti ishte sekuestruar më parë me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme.
Gjykata urdhëroi kalimin e menjëhershëm të pronës në favor të shtetit dhe i kërkoi sekretares së gjykatës t’i dërgojë një kopje të vendimit Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për zbatim. Shpenzimet gjyqësore do të mbeten ashtu siç janë bërë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ka të drejtë të apelojë këtë vendim brenda 15 ditëve nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.