Një reportazh i fundit i gjigantit mediatik britanik BBC ka nxjerrë në pah transformimin e Ekuadorit në pikën kryesore të nisjes së kokainës drejt Europës, duke zbuluar gjithashtu rolin e rëndësishëm dhe brutal të grupeve kriminale shqiptare në këtë trafik.
Nëse dikur Kolumbia njihej si eksportuesja kryesore e kokainës, tani Ekuadori është bërë epiqendra, nga ku kalon rreth 70% e kokainës që shkon në tregjet ndërkombëtare. Reportazhi i BBC-së sjell dëshmi tronditëse nga brenda rrjetit të trafikut, duke përfshirë prononcime të individëve të rekrutuar nga mafia shqiptare.
Sipas reportazhit, mafia shqiptare ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, duke shfrytëzuar rrugët kyçe të trafikut që ofron vendi dhe duke kontrolluar një pjesë të madhe të sasisë së kokainës që transportohet nga Amerika Latine drejt Europës. Pavarësisht se Ekuadori nuk është prodhues i drogës, pozicioni i tij gjeografik mes Kolumbisë dhe Perusë, dy prodhuesve më të mëdhenj në botë, e ka kthyer në një korridor vital.
BBC ka biseduar me César-in (emër i ndryshuar), një anëtar i bandës kriminale “Latin Kings”, i cili rrëfen se si u rekrutua nga një zyrtar policie i korruptuar për të punuar për mafian shqiptare. Ai e përshkruan këtë të fundit si një nga rrjetet më “frytdhënëse” të trafikut të kokainës në Europë.
Dëshmitë nga terreni tregojnë për brutalitetin e grupeve shqiptare. Sipas prononcimeve të disa ekuadorianëve, ata janë perceptuar si më të dhunshmit dhe kërcënojnë me vrasje nëse nuk zbatohen urdhrat e tyre. “Nëse nuk bën një punë të cilën ta kërkojnë shqiptarët, të vrasin”, rrëfen César-i, duke ilustruar frikën dhe dhunën që mbizotëron në këtë botë të errët.
Reportazhi shpjegon se pasi kokaina mbërrin në Ekuador nga Kolumbia dhe Peruja, fshihet në magazina dhe më pas trafikohet përmes porteve, duke shfrytëzuar korruptimin e zyrtarëve portualë, shoferëve të kamionëve dhe madje duke manipuluar kamerat e sigurisë. Bandat përdorin metoda të ndryshme për të fshehur drogën, duke e futur në ngarkesa të ligjshme, duke thyer kontejnerët në port ose duke e ngjitur në anije në det.
Një tjetër dëshmitar, Juan (emër i ndryshuar), një shofer kamioni, rrëfen se si transportoi pa e ditur një ngarkesë me drogë të fshehur në kontejnerë me peshk ton. Ai kuptoi se diçka nuk shkonte nga mungesa e informacionit dhe atmosfera e fshehtë rreth ngarkesës.
BBC thekson se Ekuadori, për shkak të vendndodhjes së tij strategjike dhe eksporteve të ligjshme, siç janë bananet, ofron një kamuflim ideal për trafikun e drogës. Kompani të rreme frutash janë ngritur si mburojë për aktivitetet e paligjshme, me trafikantët europianë që maskohen si biznesmenë. Madje, avokatja Monica Luzárraga vëren se eksportet e bananeve drejt Shqipërisë kanë shënuar një rritje të pazakontë, duke ngritur dyshime për përdorimin e këtij sektori si fasadë për trafikun e drogës.
Pavarësisht përpjekjeve të policisë dhe forcave të armatosura në portet e Ekuadorit, sasia e kokainës që trafikohet me sukses vazhdon të rritet. Autoritetet fajësojnë kërkesën në rritje në Europë dhe faktorët ekonomikë si nxitës të këtij fenomeni. Sekuestrimet e drogës kanë arritur nivele rekord, por kjo tregon vetëm një pjesë të vogël të sasisë totale që kalon përmes vendit.
Reportazhi i BBC-së përfundon me shqetësimin e dëshmitarëve për rritjen e dhunës dhe “kontaminimit” të jetës së përditshme nga trafiku i drogës, duke theksuar se lufta kundër këtij fenomeni kërkon një qasje të dyanshme, duke adresuar si burimin në Amerikën Latine, ashtu edhe kërkesën në vendet konsumatore në Europë.