Sali Berisha ka vijuar të “surprizojë” opinionin publik me figurat që po i bashkohen në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Në takimin e sotëm për prezantimin e programit elektoral, u shfaq edhe Arben Sefgjini, ish-drejtor i SHIK-ut, i akuzuar që nga viti 2003 për rrëmbimin dhe zhdukjen misterioze në vitin 1995 të veprimtarit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, kur Sefgjini ishte zyrtar i SHIK-ut nën qeverisjen e Berishës si President.
Prania e Sefgjinit mes mbështetësve në Pallatin e Kongreseve shënon një tjetër emër të lakuar në të kaluarën për akuza të rënda, që i bashkohet “puzzle”-t të figurave kontroverse me të cilat Berisha po kërkon rikthimin në pushtet. Ai i bashkohet ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, gjyqtarit “sheik” Gjin Gjoni dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja, të cilët gjithashtu janë bërë pjesë e fushatës së Berishës.