Ka nisur sot procesi i përgatitjes dhe shpërndarjes së materialeve zgjedhore për shtetasit shqiptarë që do të votojnë me postë nga jashtë vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vulos fletët e votimit dhe po i fut ato në zarfe speciale, së bashku me udhëzuesin për votimin dhe kontaktet e korrierëve.
Përgatitja e materialeve ka përfunduar për disa qarqe me numër më të vogël votuesish si Kukësi, Dibra dhe Vlora, dhe zarfet po nisin menjëherë dërgesën me postë. Sipas KQZ-së, zgjedhësit në vendet e Europës mund t’i marrin materialet brenda 48 orëve. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje votuesve që sapo të marrin zarfin, brenda tre ditëve të kryejnë votimin dhe të lajmërojnë korrierët.
Zarfet me fletët e votimit të plotësuara pritet të nisin të kthehen në KQZ nga mesi i javës së ardhshme, ndërsa numërimi i tyre do të kryhet më 11 maj, ditën e zgjedhjeve në Shqipëri. Këto janë zgjedhjet e para në historinë e vendit që u ofrojnë mundësinë e votimit me postë rreth 250 mijë shtetasve shqiptarë të regjistruar që jetojnë në vende të ndryshme të botës.