SPAK ka nisur hetimet në lidhje me aferën e “Tunelit të Llogarasë”, pas kallëzimit të bërë nga drejtuesi politik i PD në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, më 12 gusht 2024. Lajmin e ka konfirmuar vetë Bardhi përmes një postimi në rrjetet sociale.
Bardhi shprehet se nisja e hetimeve nga SPAK vërteton abuzimin prej 50 milionë eurosh në këtë projekt. Ai thekson se këto para të përfituara në mënyrë të paligjshme kanë shkuar në xhepat e personave që sipas tij, mendonin se do të ishin mbi ligjin dhe do të mbanin pushtetin me paratë e korrupsionit.
“Por, koha po tregon se i kanë bërë llogaritë gabim, me shqiptarët dhe me drejtësinë,” shkruan Bardhi, duke shtuar se tani është momenti që “banda e korrupsionit” me në krye Edi Ramën dhe Belinda Ballukun të mbajë përgjegjësi. Ai e mbyll mesazhin e tij me ironi, duke përmendur gatishmërinë e ambjenteve të burgut të grave në Pjoskë të Pogradecit.