Tiranë – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me antimafian italiane, ka zbardhur 32 episode të transferimit të rreth 3 milionë eurove nga Italia në Shqipëri, duke përdorur autobusë, nga grupi kriminal i drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si ‘Visi i Pojës’. Këto detaje tronditëse dalin nga dosja hetimore, e cila dokumenton përdorimin e metodave informale për transferimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Transferta më e madhe e dokumentuar arrin në 332,500 euro dhe 2,240 franga zvicerane, e realizuar në korrik 2020 përmes kompanisë “Firenze Lines”. Organizimi i këtyre transfertave bëhej përmes aplikacionit SKYECC, me persona përgjegjës si Orgest Shqevi, i treti në hierarkinë e grupit, që prisnin dhe siguronin mbërritjen e parave.
SPAK thekson se kjo skemë mbështetej në besimin ndërmjet shoferëve të autobusëve dhe pronarëve të parave, duke i shmangur kontrollet doganore. Shoferët merrnin një përqindje për shërbimin, duke ndërtuar një marrëdhënie të bazuar në përfitim reciprok dhe ndarje rreziku.