Partia Socialdemokrate (PSD), e drejtuar nga biznesmeni Tom Doshi, ka shënuar një performancë të fortë në zgjedhjet e 11 majit, veçanërisht në zonat rurale, duke siguruar tre mandate deputetësh, njësoj si në vitin 2021. Kjo vjen pavarësisht “paralajmërimit” të kryeministrit Edi Rama ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, pak para zgjedhjeve, ku PSD doli forcë e parë.
Në Bashkinë Vau i Dejës, PSD mori 5951 vota, duke lënë pas PD me 4698 dhe PS me 2482 vota. Ky rezultat çoi në sekuestrimin e telefonit të kryebashkiakut Shkreli nga SPAK, nën dyshimin për krime zgjedhore.
Hambar i votave rurale
Analizat e KQZ-së tregojnë se në Qarkun Shkodër, nga 15,842 vota gjithsej për PSD, vetëm 2645 erdhën nga Shkodra qytet, ndërsa pjesa më e madhe u sigurua në bashkitë e vogla dhe njësitë administrative. E njëjta tendencë u vu re edhe në Qarkun Tiranë, ku nga 14,451 vota, rreth 52% (7777 vota) u morën nga zonat rurale, përfshirë Njësinë 1 me territor të gjerë informalesh.
Kjo thekson se mbështetja kryesore për PSD-në vjen nga zona thellësisht rurale, të cilat dominohen nga bujqësia dhe shërbimet e vogla. Kjo është gjithashtu një zonë ku partitë e reja, si “Mundësia”, “Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”, nuk arritën të imponoheshin.
Premtimet për bujqësinë dhe dyshimet për vota
Programi i PSD-së për bujqësinë, i përmbledhur shkurtimisht me pika si “Kompensim TVSH-je 8%”, “Subvencionim për çdo njësi prodhimi dhe krerë bagëtish” dhe “Çmim minimal i garantuar për qumështin dhe mishin”, duket se ka rezonuar me votuesit e zonave rurale.
PSD ka shënuar një rritje në vota nga zgjedhjet e vitit 2021 (35,475 vota) në 2025 (47,561 vota), duke ruajtur konstant numrin e mandateve (3). Kjo tregon një strategji të qartë: votë për PSD, pa rëndësi kandidati.
Megjithatë, mbështetja e thellë në zona të caktuara ka ngritur edhe dyshime. Nga katër arrestime për shitblerje votash, SPAK dyshon se tre raste kanë punuar në favor të PSD-së, dy në Kukës dhe një në Fier, ku i ndaluari ishte babai i kandidates së PSD-së. Këto raste hedhin dritë mbi dinamikat dhe metodat e angazhimit politik në zonat rurale.