Nga Vlora, Agron Shehaj, lideri i partisë “Mundësia”, ka shprehur ambicie të mëdha për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai ka deklaruar se forca e tij politike synon të renditet e dyta në qarkun e Vlorës për numrin e mandateve, duke sfiduar partitë tradicionale si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.
Shehaj ka theksuar se synimi i tyre nuk është thjesht hyrja në parlament me një grup parlamentar, por edhe dhënia e një qeverie të pakorruptuar Shqipërisë. Ai ka kritikuar sondazhet dhe analizat që e minimizojnë potencialin e partisë së tij, duke thënë se ato nuk pasqyrojnë mbështetjen reale që “Mundësia” ka në terren.
“Ne mund të bëjmë historinë e Shqipërisë nga këtu,” ka deklaruar Shehaj, duke shtuar se partia e tij mat vazhdimisht punën dhe është e fokusuar në rezultate konkrete. Ai ka bërë thirrje për të mos u mashtruar nga propaganda dhe ka shprehur besimin se ndryshimi i madh do të vijë nga Vlora.