Familja e biznesmenit kontrovers Xhevdet Troplini ka qenë prej vitesh në qendër të hetimeve nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare, për rolin e anëtarëve të saj në trafikimin e drogave të forta, fillimisht heroinë dhe më pas kokainë. “Perandoria” e tij është vënë sërish në shënjestrën e SPAK-ut, me zhvillime të reja që lidhen me operacionin e fundit antidrogë, i koduar “Ura”.
Një vit më parë, Forcat Speciale zbarkuan në shtëpinë e nipit të Xhevdet Troplinit, Fatmir Troplini, i njohur me nofkën “Miri i Pojës”, ku gjetën 3 milionë euro cash. Fatmir Troplini u shpall në kërkim dhe prej majit 2024 nuk është arrestuar. Familja vazhdon betejën ligjore, duke pretenduar se paratë i përkasin biznesit të tyre të vezëve në Shijak, kompanisë “Ovvital”.
Në operacionin “Ura” të finalizuar së fundmi nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, janë firmosur 52 urdhër-arreste. Ndër personat në kërkim rezulton të jetë edhe nipi tjetër i Xhevdet Troplinit, Elvis Doçi. I njohur me nofkën “Visi i Pojës”, Doçi konsiderohet një eksponent i lartë në perandorinë e Troplinit, me ndikim të madh dhe rol aktiv në trafikun e drogës, veçanërisht në aspektin logjistik. Ai nuk u gjet në shtëpi gjatë operacionit.