Shqiptarët rezultojnë të jenë punëtorët me orarin më të gjatë në të gjithë Europën, sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2023. Mesatarisht, të punësuarit me pagë në vendin tonë punojnë 43.7 orë në javë, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Europian prej 36.1 orësh me plot 7.6 orë.
Sektoret me orarin më të ngarkuar të punës në Shqipëri janë prodhimi (46.5 orë), bujqësia (44.8 orë) dhe ndërtimi (45.6 orë). Orari më i shkurtër, krahasuar me sektorët e tjerë, shënohet në administratë me 40 orë në javë.
Pas Shqipërisë, vendi i dytë në listën e vendeve me orarin më të gjatë të punës në Europë renditet Turqia me 43.1 orë. Duket se Ballkani Perëndimor në përgjithësi karakterizohet nga një orar pune më i gjatë, ku Mali i Zi shënon 42.8 orë, Serbia 41.3 orë, Bosnja 41.2 orë dhe Maqedonia e Veriut afro 40 orë në javë.
Megjithatë, ky angazhim i gjatë në punë nuk reflektohet në të ardhura më të larta për shqiptarët. Përkundrazi, Shqipëria mbetet vendi me pagën minimale dhe mesatare më të ulët në rajon (përjashtuar Kosovën për të cilën nuk ka të dhëna). Ky kontrast i theksuar midis orëve të gjata të punës dhe nivelit të ulët të pagave paraqet një paradoks të dukshëm në tregun e punës shqiptar.
Në Bashkimin Europian, në vitin 2023, pjesa më e madhe e të punësuarve (37.1%) punonin mesatarisht midis 40 dhe 44.5 orë në javë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël (7.1%) punonin më pak se 20 orë në javë. Diapazoni 40-44.5 orësh përfaqëson shumicën e të punësuarve në shumicën e vendeve të BE-së, me përjashtim të Irlandës, Finlandës, Belgjikës, Francës dhe Danimarkës, ku mbizotëron intervali 35-39.5 orë. Përqindjet më të larta të punonjësve që punojnë 40-44.5 orë në javë u regjistruan në Bullgari (82.2%), Rumani (80.2%) dhe Letoni (77.7%), ndërsa më të ulëtat në Belgjikë (16.1%), Francë (13.3%) dhe Danimarkë (10.6%).
Këto të dhëna nxjerrin në pah një realitet shqetësues për tregun e punës në Shqipëri, ku punëtorët shpenzojnë më shumë kohë në punë krahasuar me homologët e tyre evropianë, por shpërblimi financiar mbetet dukshëm më i ulët.