Pas tërheqjes së Sali Berishës nga drejtimi i fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike ka ngritur shtabin elektoral qendror në selinë e saj për të koordinuar të gjithë punën. Sipas burimeve, në krye të këtij shtabi do të jenë Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, Albana Vokshi (drejtuese e LDG), Besart Xhaferri (drejtues i FRPD), dhe Edi Paloka (Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së).
Përsa i përket organizimit në terren, drejtuesit politikë të qarqeve do të mbajnë përgjegjësinë për fushatën në zonat e tyre përkatëse. Ndihmë dhe mbështetje do të ofrojnë edhe aleatët e koalicionit, përfshirë Fatmir Mediun (PR), Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho (PL), si dhe Shpëtim Idrizi (PDIU), i cili pritet të jetë më aktiv në Tiranë për shkak të kandidimit në listën e hapur.
Tirana, me numrin më të madh të mandateve (37), do të ketë një organizim të veçantë. Përveç drejtuesit politik Belind Këlliçi, në çdo degë të PD-së në kryeqytet do të ketë përgjegjës dhe drejtues politikë zonash. Në fushatë në Tiranë do të angazhohen si kandidatët e listës së hapur, ashtu edhe emra nga lista e mbyllur që përbëjnë “bërthamën” qendrore të partisë.
Burime nga opozita bëjnë të ditur se kjo “bërthamë” do të koordinojë takimet në Tiranë, ndërsa drejtuesit e qarqeve do të raportojnë tek shtabi qendror për çështjet e fushatës. Shtabi qendror më pas do të koordinojë punën me grupin e këshilltarëve të huaj të udhëhequr nga Chris LaCivita. Ky grup pritet të ketë një rol të rëndësishëm në formulimin e tezave të fushatës dhe në ndërgjegjësimin për monitorimin e procesit zgjedhor dhe parandalimin e deformimit të votës.