Prokurorët e Posaçme të SPAK vijojnë të forcojnë pretendimet se vila në Qerret është në pronësi të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke hedhur poshtë argumentet e tij se prona i përket vjehrrit, babait të bashkëshortes Ajola Xoxa. Detaje të reja nga dosja voluminoze e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, zbulojnë arsyet pse gjykata nuk ka pranuar justifikimet e Veliajt për udhëtimet e shpeshta në Kavajë dhe Rrogozhinë gjatë vitit 2021.
Veliaj kishte argumentuar se frekuentimi i tij në zonën e Kavajës dhe Rrogozhinës në vitin 2021 lidhej me detyrën e tij si drejtues politik i fushatës elektorale të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës për zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, GJKKO thekson se “një fakt i tillë nuk e përjashton në vetvete frekuentimin e vilës në Kompleksion Marea, Qerret”.
Sipas dosjes, prokurorët e posaçëm argumentojnë se logimet e qelizave të telefonit të Veliajt nuk janë të mjaftueshme për të përjashtuar lidhjen e tij me objektin e hetimit, veçanërisht nëse do të kishte ndonjë indikacion që ai ndihmonte persona të hetuar në zonë. Ata shtojnë se analizimi i udhëtimeve nuk ndihmon në sqarimin nëse Veliaj e dinte që personi i hetuar ndodhej në të njëjtën zonë dhe nëse qëllimi i qëndrimit të tij ishte takimi me këtë person.
Më tej në dosje theksohet se dyshimet për zotërimin e të mirave materiale nga bashkëshortët Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, me cilësinë e personit nën hetim, janë ngritur nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimeve paraprake.
Një kontroll i kryer në vilë më 6 dhjetor 2024 ka zbuluar një sërë sendesh që lidhen drejtpërdrejt me Ajola Xoxën, nënën e saj Valbona Xoxa, dhe familjarë të tjerë. Mes provave të sekuestruara janë:
- Një letër e lagur me një tabelë “Shërbim mirëmbajtje pishine”, ku klienti shënohet “Arjola” (një emër i ngjashëm me Ajola), me detaje për mirëmbajtjen e gushtit, shtatorit dhe tetorit 2024, me vlerë 450,000 lekë.
- Një tjetër tabelë “Shërbim mirëmbajtje pishine” për periudhën 2023-2024, sërish me klient “Arjola”, me vlerë totale 102,500 lekë, e vulosur nga kompania “Pwotace-AL” sh.p.k.
- Një bllok shënimesh me një shënim të shkruar nga Valbona Xoxa më 3 korrik 2023, ku ajo shkruan për pagesën e “Kujtimit” për disa muaj dhe përmend “Jolkën” (pseudonimi me të cilin Ajola Xoxa njihet nga nëna e saj).
- Shënime dore që lidhen me arredimin e vilës, duke përfshirë detaje për dhomat dhe mobiljet.
- Në banesë janë gjetur gjithashtu veshje për të rritur dhe fëmijë.
E pyetur nga hetuesit, Ajola Xoxa ka konfirmuar se nëna e saj, Valbona Xoxa, e thërret “JOLKA” në përditshmëri.
Të gjitha këto prova të detajuara të zbuluara gjatë kontrollit në vilë duket se minojnë pretendimet e Erion Veliajt dhe forcojnë dyshimet e SPAK për pronësinë e tij të vërtetë mbi vilën në Qerret, duke e lidhur atë në mënyrë të drejtpërdrejtë me bashkëshorten e tij dhe familjen e saj. Hetimet pritet të vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë çështje.