Një mister i thellë mbështjell ekzekutimin e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë, një qytetar pa precedentë kriminalë, i cili u gjet i vrarë pranë banesës së tij. Ndërsa policia dhe prokuroria po hetojnë intensivisht, pista kryesore duket të çojë drejt një porositësi të mundshëm në Dubai.
Deri më tani, autoritetet pretendojnë se kanë identifikuar atentatorin, i cili është shpallur në kërkim dhe dyshohet se ka ikur drejt Greqisë. Në pranga ka rënë Eris Mehmetaj, i cili akuzohet për përkrahje të autorit të krimit. Mehmetaj, gjatë dëshmisë së tij në polici, ka pranuar se makinën e tij e kishte lënë në përdorim të një miku, por ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me vrasjen.
Policia pretendon se e njëjta makinë është parë në afërsi të vendit të ngjarjes, megjithëse pa targat e zakonshme të mjetit të 31-vjeçarit Mehmetaj. Sipas të arrestuarit, miku i tij me makinën është nisur për në Greqi, duke u bërë kështu personi kryesor i dyshuar për ekzekutimin e Hoxhajt. Mbetet ende enigmë motivi i vrasjes së një personi që nuk njihej për ndonjë lidhje me krimin.
Hetimet kanë zbuluar se Eris Mehmetaj ia kishte dorëzuar makinën autorit para vrasjes, dhe targat e mjetit ishin ndërruar. Megjithatë, i arrestuari mohon të ketë dijeni për akuzat. Si provë materiale, Mehmetajt i është sekuestruar celulari, nga i cili pritet të nxirren të dhëna të rëndësishme për hetimin.