Atentat Tiranë Plagosje Tiranë Marko Bardhi Demiraj Dior Demiraj Pelikani Security Vesel Demiraj Ngatërrim shënjestre Roan Brahimi Gjovalin Prendi Ekzekutim Lezhë Hetim atentat Motor Dukati G Class Siguri Tiranë Krim Tiranë

Vijon të mbetet i mbështjellë në mister zinxhiri i ngjarjeve të së enjtes që tronditën Shqipërinë. Dy atentate të ndodhura në Lezhë dhe Tiranë, me një viktimë dhe katër të plagosur, ende nuk kanë një përgjigje nga autoritetet mbi identitetin e autorëve apo lidhjen mes tyre.

Pista kryesore e hetimit duket se përqendrohet tek mundësia që sulmet të jenë kryer nga i njëjti grup personash. Në Lezhë, Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit (i njohur si Roan Brahimi), u ekzekutua në lokalin e tij. Hetimet paraprake sugjerojnë se autorët e kishin ndjekur prej kohësh viktimën. Roan Brahimi u vra një vit më parë në Athinë në një pritë të ngjashme, duke ngjallur dyshime për një lidhje mes dy ngjarjeve.

Vetëm 45 minuta pas vrasjes në Lezhë, skena e krimit u zhvendos në Tiranë. Dy persona të armatosur, duke udhëtuar me motor, hapën zjarr ndaj një automjeti luksoz “G Class” në lëvizje drejt Lundrës. Si pasojë e këtij sulmi mbetën të plagosur shoferi, Arenc Stafa (34 vjeç), Kian Mullahi (19 vjeç), dhe dy fëmijët e mitur (11 dhe 17 vjeç) të Vesel Demirajt, pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikani Security”.

Një element i rëndësishëm që ka ngritur dyshime për një lidhje mes dy atentateve është fakti se pranë familjes Demiraj jeton bashkëshortja e Roan Brahimit. Pasi edhe ajo përdor një automjet të tipit “G Class”, nuk përjashtohet mundësia që shënjestra e atentatit në Tiranë të ketë qenë ajo.

Autoritetet po hetojnë intensivisht këtë pistë, duke pritur të marrin informacione nga homologët grekë lidhur me hetimet e kryera për vrasjen e Roan Brahimit. Vrasja e tij në Athinë, ku dy persona me motor e pritën dhe e qëlluan për vdekje ndërsa parkonte makinën, shfaq ngjashmëri me atentatin në Tiranë. Një pikë e paqartë mbetet fakti se pse gruaja e Brahimit nuk u lëndua në sulmin në Greqi, ndërsa në Tiranë dyshohet se shënjestra ishte bashkëshortja tjetër e tij.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në Tiranë për të rindërtuar itinerarin e automjetit “G Class” të familjes Demiraj. Synimi është të përcaktohet nëse atentatorët i kanë ndjekur viktimat që nga lokali ku festuan ditëlindjen e fëmijës 11-vjeçar, apo nëse i prisnin në hyrje të Unazës së Madhe. Kjo do të jepte një indikacion të rëndësishëm nëse autorët e njihnin mirë se kush ndodhej në makinë.

E njëjta procedurë po ndiqet edhe në Lezhë, ku po verifikohen kamerat e sigurisë për të zbuluar lëvizjet e automjetit të 65-vjeçarit para atentatit. Gjatë ditës së djeshme, kontrolle janë ushtruar edhe në zonën e Krujës, duke marrë parasysh rivalitetin mes grupit të Ervis Martinajt dhe atij të Roan Brahimit.

Një tjetër pistë hetimi është ajo që shënjestra e atentatit në Tiranë të ketë qenë vetë kreu i kompanisë së sigurisë “Pelikani Security”, dhe atentatorët të mos kenë qenë në dijeni të pranisë së fëmijëve në automjet.

Megjithatë, ngjarjet e së enjtes mbeten të mbushura me pikëpyetje dhe mister, duke rrezikuar të përfundojnë si shumë atentate të tjera në Shqipëri, pa u zbardhur plotësisht. Policia vijon punën intensive për të hedhur dritë mbi këto dy ngjarje të rënda dhe për të identifikuar autorët e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *