Pas një muaji agjërimi dhe sakrificash shpirtërore, besimtarët myslimanë në Shqipëri festuan sot (30 mars) Fitër Bajramin. Mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kryer faljen e madhe të kësaj feste të rëndësishme.
Ceremonia festive nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën fetare, duke kulmuar më pas me faljen solemne në sheshin qendror të kryeqytetit.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), në fjalën e tij përshëndetëse, uroi të gjithë besimtarët myslimanë anembanë vendit dhe shprehu urimin që “Zoti t’ua kishte pranuar agjërimin dhe t’i ndihmonte në përballimin e sfidave të jetës”, raportoi Top Channel.
“Kjo ditë sot na gjen me zemra të mbushura dhe sakrifica jonë është pranuar. Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden dhe njeriu matet me atë që ka. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb”, theksoi kreu i KMSH-së para mijëra besimtarëve të pranishëm.
Edhe një ditë më parë, Myftiu i Shqipërisë kishte uruar besimtarët, duke e cilësuar Fitër Bajramin si një ditë të madhe për besimin islam. Ai inkurajoi besimtarët të festojnë me familjet dhe miqtë, por të mos harrojnë të përfshijnë në gëzim edhe të varfërit, të sëmurët dhe të moshuarit, duke ofruar mbështetjen e tyre sipas mundësive. “Fitër Bajarami le të na shërbejë si një moment i vetëdijësimi për dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore. Qoftë ky Bajram, një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj”, u shpreh ai.
Urimet për festën e Fitër Bajramit nuk munguan as nga krerët e shtetit. Presidenti Bajram Begaj, në urimin e tij, theksoi se “përmbyllja e agjërimit, përfundimi i muajit të sakrificës, bëhet me festën e mrekullueshme të Bajramit, me festën e gëzimit, paqtimit të shpirtit dhe me shpresën e mëshirës së Zotit”, transmetoi KosovaPress.
Kryeministri Edi Rama gjithashtu uroi besimtarët myslimanë, duke vlerësuar devotshmërinë e tyre gjatë muajit të Ramazanit. “Zoti jua pranoftë lutjet dhe ju shpërbleftë për të gjitha sakrificat”, shkroi kryeministri në urimin e tij.
Festa e Fitër Bajramit shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe është një kohë gëzimi, falënderimi dhe solidarizimi për komunitetin mysliman.